Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur sot rreth orës 09:00 në lagjen “Emshir”, në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore, dyshohet se një burrë fillimisht ka privuar nga jeta një grua, e më pas ka kryer vetëvrasje.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin se pas pranimit të informatës nga policia për dy persona të pajetë në lagjen “Emshir”, në Prishtinë, prokurori kujdestar i këtij departamenti menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me njësitë tjera relevante. Ekipi mjekësor ka konstatuar dy trupa të pajetë, njëri person i gjinisë femërore dhe tjetri i gjinisë mashkullore, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja dhe një armë. Sipas dyshimeve fillestare, personi i gjinisë mashkullore fillimisht ka privuar nga jeta personin e gjinisë femërore, e më pas ka kryer vetëvrasje. Prokurori i Shtetit, në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të grumbullimit të informatave dhe provave rreth këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë./UBTNews