Në kuadër të hetimeve për vrasjen e Liridona Murselit në Sinidoll të Prishtinës më 29 nëntor 2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se në koordinim me Policinë e Kosovës janë arrestuar dorasi i vrasjes, Granit Plava dhe bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli.
Rasti është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua.
Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar dy të dyshuar për vrasje, si dhe është sekuestruar arma, e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast.
Aktualisht, të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore.
Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.
Ndryshe raportimet fillestare pohuan se Liridona Murseli u vra nga disa grabitës, teksa po udhëtonte me makinë së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj.