Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën është aprovuar propozimi i mbrojtësit të të akuzuarit Murat Ademi, avokatit Florin Vërtopi për ekzaminimin e DVR-it (ruajtësi i pamjeve të kamerave) të restorantit “Bunari” nga Agjencioni i Kosovës për Forenzikë (AKF).
Këtë propozim e ka aprovuar kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani, në rigjykimin ndaj të akuzuarve Murat dhe Reshat Ademi, të cilët po akuzohen se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin A.B, kurse Resmije Bytyqi akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes, ndërsa Fadil Fetiu për veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, gjykatësi Sejrani e ka refuzuar propozimin e avokatit Vërtopi që të kërkohen nga Qendra e Paraburgimit në Prizren hyrjet dhe daljet e zyrtarëve policorë lidhur me të akuzuarin Fetiu, sipas urdhëresës së kësaj gjykate prej 14 nëntorit 2016 deri më 29 maj 2017 dhe sigurimin e procesverbalit të marrjes në pyetje të të akuzuarin Fetiu në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 14 nëntor 2016.
Ndryse, propozimin e avokatit Vërtopi për ekzaminim të DVR, nuk e ka kundërshtuar prokurori Genc Nixha, por ka kundërshtuar propozimin për sigurim të procesverbalit të marrjes në pyetje të akuzuarin Fetiu dhe hyrje-daljet e zyrtarëve policorë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
“Sa i përket propozimit të dytë, procesverbalit të marrjes në pyetje të pandehurit Fadil Fetiu datë 14 nëntor 2016, nuk ekziston në shkresat e gjykatës dhe si e tillë mbase nuk ekziston dhe unë propozoj që të refuzohet ky propozim”, ka thënë prokurori Nixha.
Qëndrim të njëjtë ka paraqitur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar- A.B., avokati Blerim Mazreku.
Pas kësaj, seanca e sotme është ndërprerë kurse ajo e radhës është caktuar të mbahet më 13 dhjetor 2023.
Ndryshe, për herë të parë nga Gjykata Themelore në Prizren, më 21 tetor 2019 të akuzuarit Murat Ademin, Resmije Bytyqin dhe Fadil Fetiun i kishte shpallur fajtorë, ndërsa Reshat Ademin e kishte liruar nga akuza, mirëpo aktgjykimin e Themelores e kishte anuluar Gjykata e Apeli dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.
Më 24 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar Murat Ademin me 25 vite burgim, Resmije Bytyqin me 20 vite burgim, Fadil Fetiun me 12 vite burgim, ndërsa Reshat Ademi u lirua nga akuzat për veprën penale të vrasjes së rëndë, pasi që nuk u provua se i njëjti ka kryer vepër penale e cila i vihet në barrë
Gjykata e Apelit për herën e dytë këtë rast më 29 gusht 2022 e ka kthyer në rigjykim duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Murat dhe Reshat Ademi, Fadil Fetiu dhe Resmije Bytyqi akuzohen se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin A.B., kurse Resmije Bytyqin akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes. Sipas aktakuzës, i ndjeri B., i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dy e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur.