Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar nga një muaj paraburgim dy personave, A.M dhe L.B, që dyshohet se kanë vrarë 41-vjeçarin në Fushë Kosovë.
Sipas gjykatës, A.M dhe L.B dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja”, ndërsa A.M ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.M dhe L.B dhe e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtve ju ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin veç e veç. Gjyqtari i procedurës paraprake i ka analizuar të gjitha arsyet mbi shkaqet e caktimit të paraburgimit dhe ka gjetuur se kërkesa e prokurorit të shtetit pẽr caktimin e paraburgimit është e bazuar, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale, ekziston rreziku i ikjes së tyre dhe në këtë mënyrë mund të jenë të paarritshëm për organet e ndjekjes, andaj paraburgimi është e vetmja masë me të cilën tani për tani mund të sigurohet prania e të pandehurve në këtë procedurë penale, pengimi i tyre në përseritjen e veprave të ngjashme penale dhe me qëllim të zhvillimit të suksesshëm të kësaj çështje penale”, thuhet në komunikatë.
Të pandehurit A.M dhe L.B më 12 shkurt 2023 rreth orës 21:40 min, në Rr “Pjetër Budi” në Fushë Kosovë, në bashkëkryerje dyshohet se e kanë privuar nga jeta të ndjerin A.H.