Organizatat e shoqërisë civile në Pejë kanë thirrur për nesër një marsh proteste paqësore në shenjë revolte ndaj vrasjes së Gjyljeta Ukellës. Vrasja në Pejë është e dyta brenda pak ditësh në Kosovë, pasi në Ferizaj ditë më parë u vra Erona Cokli.
“Nesër, e mërkurë, duke filluar nga ora 11:00 do të organizohet marshi paqësor me moton “Kot flasim, derisa ata vrasin”. Marshi fillon nga qendra e qytetit për të vazhduar tek objektet e Policisë, Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë Themelore në Pejë”, thuhet në njoftim.
Për t’u solidarizuar me Gjyljetën dhe të gjitha viktimat e femicidit sonte në ora 19:30, në qendër të qytetit Pejë do të bëhet ndezja e qirinjve.
Organizatat e shoqërisë civile në Pejë bëjnë thirrje që urgjentisht të ndalohet me mohimin e femicidit dhe dhunës në baza gjinore, duke thënë se mosndëshkimi i këtyre rasteve është inkurajim i mëtejshëm.