Duane “Keffe D” Davis pritet të dëgjojë sot në Las Vegas dënimin për vrasjen e reperit të njohur Tupac Shakur, i cili u qëllua për vdekje në vitin 1996, në moshën 25-vjeçare.
Davis, 63 vjeç, u shpall fajtor për vrasje të shkallës së parë në gusht dhe përballet me mundësinë e burgimit të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht.
Tupac u qëllua më 7 shtator 1996, teksa ndodhej në një veturë BMW të zezë së bashku me producentin muzikor Marion “Suge” Knight. Një Cadillac i bardhë u ndal pranë tyre në një semafor, nga i cili u hap zjarr. Reperi ndërroi jetë gjashtë ditë më vonë, ndërsa Knight mbijetoi.
Vrasja mbeti e pazbardhur për shumë vite, derisa Davis, ish-udhëheqës i grupit South Side Compton Crips, foli publikisht për përfshirjen e tij në ngjarje.
Ai pretendoi se gjithçka kishte nisur pas një përleshjeje në Las Vegas, ku Tupac dhe shoqëruesit e tij kishin sulmuar nipin e tij. Davis pranoi se kishte qenë në sediljen e pasagjerit të Cadillac-ut dhe se kishte siguruar armën e përdorur në sulm.
Prokuroria u mbështet në deklaratat e tij të mëparshme, duke argumentuar se ai kishte organizuar vrasjen dhe kishte siguruar armën. Ndërkaq, mbrojtja kundërshtoi akuzat, duke vënë në pah mungesën e provave fizike dhe duke pretenduar se Davis kishte dhënë deklarata të rreme për përfitime financiare.
Pas shpalljes fajtor, Davis deklaroi se do ta apelonte vendimin.
Ai mbetet personi i vetëm i akuzuar dhe i dënuar për vrasjen e reperit. Në seancën e dënimit pritet të flasin edhe anëtarë të familjes së Tupac-ut, duke kujtuar reperin jo vetëm si artist me famë botërore, por edhe si djalë, vëlla dhe familjar të dashur./A.K/
