Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar në një konferencë për media se organet e sigurisë janë duke grumbulluar informacionet për rastin ku u vra një polic në Loznicë të Serbisë e ku po raportohet se i dyshuari në rastin e vrasjes është një kosovar.
“Informacionet që kanë dalë i kam marrë edhe unë në mëngjes. Nuk kam diçka shtesë por organet tona të sigurisë e të rendit po i grumbullojnë informacionet dhe ju kisha lutur që përcillni me vëmendje komunikatat në vazhdim të Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, ka deklaruar Kurti.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka thënë se një zyrtar policor është vrarë në Lloznicë – qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnje e Hercegovinën – në orët e para të së enjtes, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.