UBT News

Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murseli deklarohet i pafajshëm, Tom Dodaj pranon fajësinë

Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, ndërsa Granit Plava nuk dha një deklaratë lidhur me fajësinë e tij. Kushtrim Kokalla tha se do të vendosë pas konsultimit me mbrojtjen. Nga ana tjetër, i akuzuari Tom Dodaj pranoi fajësinë për vrasjen.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj ngarkohen për vrasjen e Liridona Ademajt, e cila ndodhi më 29 nëntor 2023.

Të akuzuarit dhanë deklaratat e tyre lidhur me fajësinë të premten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Javorka Perlinçeviq.

Gjatë leximit të aktakuzës, prokurorja bëri një sqarim mbi kualifikimin juridik për të akuzuarit Murseli, Plava dhe Kokalla, duke ndryshuar nenin 34 dhe duke e lënë vetëm nenin 31 (bashkëkryerja) për veprën penale të vrasjes së rëndë. Po ashtu, u bë ndryshimi i kualifikimit për veprën penale “Moslajmërim i veprave apo kryerësve të tyre”, ku u largua neni 34 për të akuzuarin Kokalla.

Në procesin gjyqësor, Murseli u deklarua i pafajshëm, Granit Plava nuk dha deklaratë lidhur me fajësinë, ndërsa Kokalla tha se do të konsultohej me mbrojtësin e tij para se të jepte një përgjigje. Nga ana tjetër, Tom Dodaj pranoi fajësinë.

“Plotësisht i pafajshëm,” tha Murseli.

“Nuk dua të deklarohem pa u konsultuar me avokatin tim,” tha Kokalla.

“Në mënyrë vullnetare, pranoj fajësinë,” shtoi Dodaj.

Prokurorja e pranoi fajësinë e Dodajt, duke theksuar se ajo ishte bërë në mënyrë vullnetare dhe në përputhje me provat materiale. Avokati i Dodajt, Agron Kuqi, gjithashtu kërkoi që pranimi i fajësisë të aprovohej nga gjykata. Nga ana tjetër, avokati i palës së dëmtuar, Leotrim Sylaj, e mirëpriti pranimin e fajësisë dhe kërkoi që ai të aprovohej.

“Pajtohem me fjalët e avokatit tonë të autorizuar, mirëpresim pranimin e fajësisë,” tha Leonard Ademaj.

Gjykatësja Dermaku miratoi pranimin e fajësisë për Tom Dodaj dhe procedura ndaj tij u veçua, me shpalljen e aktgjykimit që pritet të bëhet brenda 10 minutash.

Përpara leximit të aktakuzës, prokurorja Perlinçeviq informoi se mbrojtja e të akuzuarve dhe palët e tjera kishin pranuar shkresat e lëndës, por kishte pasur ankesë për moshapjen e CD-ve.

Ajo shtoi se Prokuroria kishte njoftuar mbrojtësit për këtë çështje, por nuk kishte marrë përgjigje. Gjykatësja Dermaku, nga ana e saj, e konfirmoi që CD-të ishin hapur dhe se ato ishin pjesë e diskut të jashtëm.

Ajo gjithashtu kërkoi që IT i gjykatës të verifikonte nëse CD-të hapeshin.

Exit mobile version