UBT News

Vrasja e 24-vjeçarit në piceri në Mitrovicë, ngrihet aktakuzë kundër tre personave

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve L.S., B.H., V.I., dhe V.S., në drejtim të veprave penale “Vrasja e rëndë”, “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Mehmet Kurti 23-vjeçar kishte mbetur i vrarë në një piceri mbrëmjen e 12 shkurtit në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë. E nga të shtënat me armë zjarri ishin plagosur edhe dy persona.

Prokuroria njofton se me datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, “i pandehuri L.S., me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin M.K., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje rreth punëtorëve me pronarin e Proper Pizza në Mitrovicë A.B., vjen një konflikt mes pjesëmarrësve të dy grupeve, me ç`rast i pandehuri L.S., nxjerr pistoletën dhe shtënë në viktimën M.K., i cili vdes si pasojë e plagëve të marra, dhe predhat e goditin edhe B.H., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore”.

Me këto veprime i pandehuri L.S., ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.5 të KPRK dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“I pandehuri B.H., me datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, ka shtënë në drejtim të personit F.S., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore si dhe duke vënë në rrezik jetën e personave të grupit të Proper Pizza.

I pandehuri V.I., datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë ka poseduar në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm pistoletën e cila i është sekuestruar nga policia, e po ashtu në mënyrë kërcënuese ka përdorur pistoletën të cilën e kishte në posedim.

I pandehuri V.S., datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, ka poseduar në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm pistoletën e cila i është sekuestruar nga policia, e po ashtu e ka përdorur kundër grupit të Proper Pizza në mënyrë kërcënuese pistoletën të cilën e kishte në posedim.

Me këto veprime i pandehuri V.S., ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 367 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet tutje në njoftimin e prokurorisë.

Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Exit mobile version