Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar dy të miturit që e rrahën për vdekje Lulzim Fejzullahun më 14 janar në Podujevë. Njëri prej tyre është dënuar me nëntë vjet e tjetri me dhjetë.
Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë rast është bërë më 23.05.2024 dhe është mbajtur e mbyllur pasi që në rast janë të përfshirë të miturit.
Avokati i palës së dëmtuar, Tomë Gashi ka thënë se njëri prej tyre është dënuar apo i është shqiptuar masa e burgimit për të mitur me kohëzgjatje prej 10 viteve. Ndërsa tjetri në kohëzgjatje prej 9 viteve.
“Njëri prej tyre është dënuar apo i është shqiptuar masa e burgimit për të mitur me kohëzgjatje prej 10 viteve. Ndërsa tjetri në kohëzgjatje prej 9 viteve. Gjykata ka konsideru që kjo seancë duhet të jetë sipas saj e tipit të mbyllur atëherë ne vetëm mundemi sipërfaqësisht vetëm ajo që është e lejuar të themi”, është shprehur avokati Gashi pas seancës.
Ndërsa Rrahim Fejzullahu xhaxhai i Lulzimit ka thënë se nuk i beson kësaj drejtësie.
“Lulëzimi i ndjerë i ka pas 18 vite kështu që s’ma plotëson mu zemrën e para dhe e dyta nuk i besoj shkurt e shqip kësaj drejtësie. Nëse më pyet pse nuk i beson që ky me mbiemër Artioli ka pas edhe 10 vepra ma herët këtu nuk e di sa janë marr parasysh, këtu me një fjalë mua ma ka lënë varrën hapur unë nuk i besoj edhe pikë”.