Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski në konferencën e sotme shpalosi detaje nga vrasja e 14-vjeçares nga Shkupi dhe 74-vjeçarit i cili u gjet i vrarë në afërsi të Velesit. Sipas tij dyshohen pesë persona, tre prej të cilëve janë në paraburgim, një në bisedë informative dhe një jashtë shtetit.
“Që të dy personat edhe e mitura nga Shkupi dhe 74-vjeçari nga Velesi dje u gjetën nga policia të vrarë dhe të varrosur njëri në Shkup dhe tjetri në Veles. Masat e ndërmarra nga ana e policisë na sollën deri tek autorët e këtij krimi, ata janë privuar nga liria. Lidhur me dy rastet janë të dyshuar 5 persona, tre prej tyre janë në paraburgim, një është jashtë shtetit dhe personi i 5, babai i të miturës është ndaluar dhe me të po zhvillohet bisedë informative”, tha Spasovski.
Ministri Spasovski tha se motivi i dy vrasjeve ka qenë interesi, ndërsa në një rast është përfshirë edhe një person nga familja më e afërt e viktimës.
“Një prej personave, në marrëveshje dhe në dijeni, sipas konstatimeve fillestare, të një familjari ka organizuar ekzekutimin e krimit, me qëllim zhvatjen e parave nga nëna e të miturës, nga të cilat të gjithë personat e përfshirë do të përfitojnë financiarisht”, tha Spasovski.
Nga ana tjetër prokurori Gavrill Bubevski tha se të gjithë të involvuarit në të dyja vrasjet janë identifikuar. Sipas tij 14 vjeçarja është vrarë 3 orë, gjegjësisht më pak se 3 orë pas zhdukjes së saj të hënën e kaluar./alsatm/