Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama ka ftuar qytetarët që të dalin të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Pasi ka votuar, Rama ka thënë se për Prishtinën po vinë kohë të mira.
“Unë sapo votova në këtë ditë të nëntorit, në këtë ditë fantastike me diell, ditë e mrekullueshme, ditë e mirë për Prishtinën, kohërat e mira, të bukura për të gjithë qytetarët e Prishtinës po vijnë. Prandaj i ftoj të gjithë qytetarët që të dalin të votojnë, të shfrytëzojnë këtë rast për transformimin e bukur te merituar të qytetit tonë për të gjithë”, tha ai.
Kandidati i LDK-së i cili po synon të udhëheq kryeqytetin ishte i shoqëruar nga bashkëshortja, Kristale Rama.
“Jam krenare për Përparimin, e dua Prishtinën dhe familja jonë të jetë në disponim të Prishtinës gjithmonë”, ka thënë Kristale Rama.
Prishtina është një prej 21 komunave në të cilat po zhvillohet raund u dyte i zgjedhjeve, pas atyre që janë mbajtur më 17 tetor ne tërë territorin e Kosovës.