Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se asnjë incident deri tani nuk është shënuar sa i përket procesit të votimit. Ai duke folur para gazetarëve e ka përshkruar situatën e sigurisë të qetë, stabile, por edhe delikate, duke marrë parasysh zhvillimet që kanë ndodhur në veri gjatë viteve të fundit.
Sipas tij, policia sot ka gjetur dy kallashnikovë, disa fishekë dhe karikatorë në një shtëpi të pabanuar, por që siç tha ai, nuk ndërlidhen me procesin e votimit. Elshani ka bërë të ditur se ka një të dyshuar në lidhje me rastin, por nuk ka dhënë detaje.
“Situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë, stabile, është delikate duke marrë parasysh zhvillimet që kanë ndodhur këtu që nga viti 2022 deri tani, mirëpo sa i përket procesit të votimit çdo gjë është në rregull dhe nuk kemi pasur asnjë incident… Ne kemi pranuar informacione që në një shtëpi që për momentin është e pabanuar mund të ketë armë, policia ka reaguar, ka gjetur dy kallashnikovë, disa fishekë, karikatorë… por nuk ka lidhje absolutisht me rastin e votimit… E kemi një të dyshuar, sepse shtëpia është në emrin e tij, mirëpo nuk kishim dashur të flasim për identitetin e tij”, ka thënë Elshani.