Demush Shasha, drejtori ekzekutiv i EPIK-ut ka bërë të ditur se javën e ardhshme liberalizimi i vizave për Kosovën do të votohet në seancën e Parlamentit Evropian. Shasha në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se ky është votimi final në procesin e liberalizimit të vizave.
“Më nuk do të këtë lajme për ‘edhe një votim’ apo ‘edhe një hap’. Ky është fundi. Dhe fakti që më vjen kaq zor të shqiptoj fjalën ‘urime’ tregon sa i dhimbshëm ka qenë ky proces”, shkruan ai.
Ndryshe, më 14 dhjetor të vitit të kaluar Ambasadorët e Bashkimit Evropian (BE) e kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ekipet negociuese të Parlamentit Evropian dhe kryesisë së Këshillit të BE-së arritën marrëveshjen për projekt-rregulloren për udhëtimin pa viza për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.
Më pas më 12 janar të këtij viti Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, që shkurt njihet edhe si LIBE, i Parlamentit Evropian, në pikën për Kosovën që ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave kishte votuar me shumicë dërmuese pro liberalizimit të vizave.
Ndërkaq, më 9 mars Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në lexim të dytë Komisioni për Drejtat Civile, Drejtësi dhe Punët e Brendshme i Parlamentit Evropian ka miratuar përfundimisht liberalizmin e vizave për Kosovën më 23 mars 2023.
E votimi i fundit për liberalizimin e vizave do të jetë nga Parlamenti Evropian. Seanca plenare e Parlamentit Evropian parashihet të mbahet më 18 prill.
Institucionet e BE-së kanë rënë dakord që kërkesa për të mos pasur viza për kosovarët do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS) dhe në çfarëdo rasti, jo më vonë se 1 janari 2024.