UBT News

Von der Leyen: Nëse negociatat me Trump dështojnë, BE do përgatisë masa hakmarrëse

Bashkimi Evropian është i gatshëm të vendosë taksa ndaj gjigantëve të teknologjisë amerikane nëse negociatat me Presidentin Donald Trump për uljen e tarifave për mallrat evropiane dështojnë, raportoi Financial Times për atë çfarë ka deklaruar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ne po përgatisim masa hakmarrëse,” deklaroi von der Leyen, duke përmendur mundësinë e taksimit të të ardhurave nga reklamat dixhitale të kompanive si Meta, Google dhe Facebook. “Ka një gamë të gjerë kundërmasash… në rast se negociatat nuk janë të kënaqshme.

BE-ja njoftoi dje pezullimin për 90 ditë të tarifave hakmarrëse ndaj SHBA-së, pas vendimit të njëjtë të Trump për një pauzë 90-ditore të tarifave të tij “reciproke”. Blloku evropian ishte prekur nga tre lloje tarifash amerikane: një taksë 25% për çelikun dhe aluminin, një tjetër 25% për makinat, si dhe një tarifë 20% për mallrat e tjera.

Megjithëse tarifa “reciproke” është pezulluar, Trump vazhdon të aplikojë një taksë 10% ndaj një sërë partnerësh tregtarë, përfshirë Bashkimin Evropian.

Në përgjigje, BE-ja po shqyrton mundësinë e vendosjes së një “bazuke” tregtare, e cila do të synonte shërbimet amerikane, dhe në veçanti gjigantët e teknologjisë. “Një shembull është që ju mund të vendosni një taksë mbi të ardhurat nga reklamat e shërbimeve dixhitale,” theksoi von der Leyen.

Në një deklaratë të enjten, ajo u shpreh se BE-ja është e përkushtuar ndaj negociatave konstruktive me SHBA-në, por paralajmëroi se kundërmasat do të hyjnë në fuqi nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Exit mobile version