Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen paralajmëroi sot për periudha të vështira përpara për familjet dhe bizneset në Evropë, duke iu referuar pasojave ekonomike të luftës në Ukrainë.
“Momentet përpara nesh nuk do të jenë të lehta. Qoftë për familjet që po luftojnë për të përballuar nevojat apo bizneset që po përballen me zgjedhje të vështira në lidhje me të ardhmen e tyre”, tha Von der Leyen në Parlamentin Evropian, në Strasburg.
“Le të jemi të qartë. Rreziku është jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën dhe botën në përgjithësi”, shtoi ajo.
“Kjo nuk është vetëm një luftë e nisur nga Rusia kundër Ukrainës. Kjo është gjithashtu një luftë për energjinë tonë, një luftë ndaj ekonomisë sonë, një luftë ndaj vlerave tona, është një luftë për të ardhmen tonë”, tha Von der Leyen.
Inflacioni arriti në 9,1% në eurozonë në gusht, i nxitur kryesisht nga kostot e energjisë, të cilat janë rritur me 38,3% krahasuar me vitin e kaluar, duke ngritur shqetësimet për një recesion të mundshëm./atsh/