Duke folur për bisedimet e fundit, Presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, përshëndet me ton të veçantë përpjekjet për paqe të udhëhequra nga presidenti amerikan Donald Trump, duke thënë se “e dimë që nevojitet shumë më tepër punë, por… falë angazhimit të Ukrainës, SHBA-së dhe nesh evropianëve gjatë ditëve të fundit në Gjenevë, kemi një pikënisje”.
Ajo thotë se marrëveshja duhet të sigurojë “një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” dhe “siguri të vërtetë për Ukrainën dhe Evropën”, pa asnjë kufizim për forcat e armatosura të Ukrainës, gjë që, sipas saj, “do ta linte vendin të pambrojtur ndaj sulmeve të ardhshme”.
“Kjo ka të bëjë po aq me fuqinë parandaluese sa edhe me sigurinë e Evropës, sepse siguria e Ukrainës është siguria e Evropës”, thekson ajo, sipas The Guardian.
Von der Leyen shton se marrëveshja duhet të mbrojë sovranitetin e Ukrainës, duke paralajmëruar se “e dimë që mendësia e Rusisë nuk ka ndryshuar që nga koha e Jaltës, duke e parë kontinentin tonë përmes sferave të ndikimit”.
“Prandaj duhet të jemi të qartë se nuk mund të ketë copëtim të njëanshëm të një shteti sovran evropian dhe se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë. Nëse sot legjitimojmë dhe formalizojmë minimin e kufijve, hapim derën për më shumë luftëra nesër – dhe këtë nuk duhet ta lejojmë”, përfundon ajo, shkruan The Guardian.
Në konferencën e Jaltës (1945), Bashkimi Sovjetik i Stalinit siguroi zonën e vet të pushtimit në Gjermani dhe ndikim dominues në Evropën Lindore. Edhe pse pranoi zgjedhje të lira në letër, Moska vendosi regjime komuniste në vendet e çliruara, duke shënuar fillimin e zgjerimit të saj dhe të ndarjes së Evropës që çoi në Luftën e Ftohtë./KP
