Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Leyen, u takua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën në Tiranë, ku e nisi turneun të saj në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Ajo mbërriti në kryeqytetin shqiptar vonë pasdite dhe u prit me ceremoni zyrtare nga Rama, të cilin e takoi më pas. Ata pritet të flasin në një konferencë për shtyp më vonë.
Më vonë në mbrëmje, ajo do të marrë pjesë edhe në përurimin e Kampusit të Kolegjit Evropian në Tiranë. Gjatë vizitës në kryeqytetin e Shqipërisë, ajo është paraparë të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj të enjten në mëngjes.
Sipas paralajmërimeve nga KE-ja, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që Bashkimi Evropian po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.
Së fundi, BE-ja ka miratuar Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor që parasheh ndihmë prej 6 miliardë eurosh për shtetet e këtij rajoni.
Javë më parë, BE-ja i miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes.
Pas Shqipërisë, më 24 tetor Von der Leyen do të shkojë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje e Hercegovinë. Në Bosnje, ajo do t’i vizitojë edhe zonat e goditura nga përmbytjet e 4 tetorit, dhe do të shpreh gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar në përballje me pasojat.
Në Serbi, Von der Leyen do të qëndrojë më 25 tetor, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Von der Leyen do të udhëtojë pastaj për vizitë në Kosovë të shtunën e 26 tetorit, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi të shtunën në Podgoricë./REL/