Në Samitin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Slloveni, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka thënë se marrëveshja e Kosovës dhe Serbisë për targat ka dërguar një mesazh të jashtëzakonshëm për rajonin.
Sipas saj, ulja e tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ka treguar se përmes bisedave në tavolinë dhe gatishmërisë për të gjetur zgjidhje, mund të vazhdohet përpara.
Ursula von der Leyen ka folur në një konferencë për media pas takimit të Samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor në Brdo, ku ndër të tjera ka thënë se BE nuk është i kompletuar pa rajonin.
“Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë lidhur me tensionet sa i përket targave, pra një marrëveshje që u fasilitua nga Bashkimi Evropian dërgoi një mesash të jashtëzakonshëm për regjionin se është e mundur që duke u ulur në tavolinë, duke treguar gatishmëri për të gjetur zgjidhje edhe në situata shumë të vështira mund të gjejmë pra zgjidhje dhe mund të ecim përpara. Dhe nëse i hedhim një sy deklaratës së sotme që kemi nxjerrë shihet qartë se zotimi ynë për zgjerim qysh në paragrafin ep arë të deklaratës tregon edhe gatishmërinë tonë për të ecur përpara”, ka thënë ajo.
Kryetarja e Komisionit Evropian ka thënë se gjatë vizitës që i ka bërë Ballkanit Perëndimor, ka kuptuar që njerëzit tashmë janë të frustruar me zgjatjen e procesit për hyrjen e këtyre shteteve në Bashkimin Evropian.
“Javën e kaluar vizitova shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe përveç diskutimeve për temat që i përmenda, ndjeva edhe mos durimin që kanë njerëzit dhe frustrimin e tyre lidhur me zgjatjen e hyrjes së tyre në Bashkimin Evropian, me zgjatjen e procesit. Tani cilat janë hapat përpara, sa i përket reformës, është e qartë se partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor po ndërmarrin reformat ë rëndësishme, nuk mund të themi se kanë arritur, por ka përparim shumë të dukshëm, nëse shikojmë në aspektin kronologjik shumë gjëra kanë ndryshuar dhe tani është me rëndësi të mbajmë këtë drejtim në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, lirisë së medias dhe reformës ekonomike. Por, ndërkohë BE duhet të ofrojë të vetën në veçanti mos hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë por rrezikon bashkëpunimin tonë apo të ardhmen”, ka thënë ajo.
Sipas saj, mesazhi i komisionit është i qartë, se Bashkimi Evropian nuk është i kompletuar pa Ballkanin Perëndimor.
“Mesazhi i Komisionit është më se i qartë, pikë së pari, Ballkani Perëndimor është pjesë e po asaj Evrope siç është edhe BE, kemi të njëjtën histori, ndajmë të njëjtën histori, të njëjtat vlera dhe të njëjtin fat, BE nuk është i kompletuar pa Ballkanin Perëndimor, prandaj, Komisioni im do të vazhdojë të bëjë punën maksimale për të quar më tej planet e zgjerimit në integrimin evropian. Ne duam Ballkanin Perëndimor brenda BE-së dhe nuk ka dyshim që qëllimi ynë është zgjerimi”, ka thënë Ursula von der Leyen.
Samiti në Brdo, në të cilin po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, organizohet nga presidenca sllovene e Bashkimit Evropian.