UBT News

​Von der Leyen: Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë që të ndërtojë institucione të forta.

Ajo në një postim në rrjetin X, pas takimeve me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ka thënë se Kosova duhet të finalizojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor jenë pjesë e Unionit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta”, ka shkruar ajo duke përmendur edhe rëndësinë e uljes së tensioneve në vend.

Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh përfshin investime dhe reforma si pjesë e agjendës reformuese për periudhën 2024-2027, prej tyre dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë janë në formë kredie me këste të favorshme.

Kosova nuk ka përfituar nga ky Plan, pasi për shkak të mungesës së krijimit të institucioneve deri më tani nuk janë miratuar marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare./D.B/KP

Exit mobile version