UBT News

Von der Leyen: Izraeli ka të drejtë të mbrohet, Irani s’mund të ketë armë bërthamore

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore.

Von der Leyen, gjatë qëndrimit të saj në Kanada për samitin e G7, tha se ka folur me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe se i ndjek zhvillimet në Lindjen e Mesme me shqetësim të thellë.

E përsërita angazhimin tonë për paqe, stabilitet dhe përpjekje diplomatike që çojnë në uljen e tensioneve. Në këtë kontekst, nënvizova se Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Irani është burimi kryesor i paqëndrueshmërisë rajonale. Evropa ka qenë gjithmonë e qartë – Irani nuk mund të sigurojë kurrë armë bërthamore. Ekziston një nevojë urgjente për një zgjidhje të negociuar”, deklaroi Von der Leyen në një postim në rrjetin social X.

Sipas saj, shqetësime të forta në lidhje me programet bërthamore dhe balistike të Iranit janë shprehur vazhdimisht.

Siç deklaroi ajo, këto janë të njëjtat raketa që goditën pa dallim qytete jo vetëm në Izrael, por edhe në Ukrainë.

Ne biseduam gjithashtu për Gazën. Situata humanitare në Gaza është e papranueshme. E përsërita thirrjen tonë urgjente për të lejuar që të gjitha ndihmat humanitare të arrijnë menjëherë tek civilët që kanë nevojë për të. Është e nevojshme të vazhdohet armëpushimi dhe të lirohen menjëherë pengjet, në mënyrë që më në fund të arrihet një fund i përhershëm i armiqësive”, përfundoi Von der Leyen.

Exit mobile version