Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka ofruar ndihmë mjekësore një pasagjeri që shfaqi komplikacione shëndetësore në avionin që po udhëtonte në Bruksel.
Presidentja e Komisionit Evropian po udhëtonte në të njëjtin avion me personin në fjalë gjatë kthimit të saj në Bruksel nga samiti i G20 në Rio de Janeiro.
Sipas një deklarate të përfaqësueses së Komisionit, Arianna Podesta, von der Leyen ka ndërhyrë për të ofruar ndihmë mjekësore, pasi stafi i aeroplanit kërkoi ndihmën e një mjeku në bord.
“Siç ndodh në këto raste, stafi i aeroplanit pyeti nëse ndonjë pasagjer kishte njohuri mjekësore,” tha Podesta. “Presidentja ndihmoi pasagjerin në nevojë deri sa fluturimi arriti në destinacion, ku stafi mjekësor mori përsipër situatën”, shtoi ajo.
Përpara se të hynte në politikë, Ursula von der Leyen ka patur karrierë të suksesshme në mjekësi. Ajo filloi si asistente mjeke dhe më pas u diplomua nga Shkolla Mjekësore e Hanoverit, ku mori titullin doktor në mjekësi.
Incidenti u raportua për herë të parë nga gazeta zvicerane 20 Minuten.