Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, këtë të enjte ka deklaruar se në vitin 2022 pritet që në BE të prodhohen 3.5 miliardë doza vaksine antiCOVID, nga të cilat një pjesë e madhe do të shpërndahen në vendet e treta.
Von der Leyen këtë deklaratë e ka bërë pak para nisjes së G20 në Romë, ku janë diskutuar çështje të tilla si pandemia e COVID-19, masat që duhet të merren për pandemi të reja, ekonominë e rimëkëmbjes globale dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Ndërkaq në lidhje me pandeminë e COVID ajo ka theksuar se vendet e G20 pritet të angazhohen për qëllimin e vaksinimit të plotë të 70% të popullsisë së botës deri në mesin e vitit 2022.
“Është një objektiv ambicioz, por ne do ta mbështesim plotësisht”, ka thënë ajo.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se BE-ja ka eksportuar 1.2 miliard doza të vaksinës COVID-19 në 150 vende në 11 muajt e fundit dhe ka shpërndarë rreth 800 milionë doza për qytetarët evropianë.
Drejtuesja e Komisionit Evropian ka theksuar se në vitin 2022, BE-ja dhe shtetet e saj anëtare janë zotuar të dhurojnë gjithsej 500 milionë doza vaksinash për vendet e treta.