Von der Leyen paralajmëroi presidentin e ri të SHBA-së, Donald Trump, që të shmangë nisjen e një lufte tregtare me Evropën dhe theksoi gatishmërinë e BE-së për negociata. Ajo theksoi se ekonomitë e BE-së dhe SHBA-së janë të ndërthurura në një masë të jashtëzakonshme dhe se vëllimi i tregtisë mes dy palëve arrin në 1.5 trilion euro, që përfaqëson 30 për qind të tregtisë botërore. “Të dyja palët do të rrezikonin shumë”, tha Von der Leyen.
Kjo deklaratë vjen pas njoftimit të Trumpit gjatë fushatës zgjedhore se kishte për qëllim vendosjen e tarifave të reja për importet, përfshirë një tarifë deri në 60 për qind për mallrat kineze. Trumpi ka shprehur shqetësimin për deficitin tregtar dhe dëshirën për të forcuar prodhimin amerikan.
Kancelari Scholz gjithashtu shprehu shpresën që SHBA të mbetet një aleat i ngushtë i Gjermanisë edhe nën presidencën e Trumpit, por theksoi se duhet të ketë maturi në qëndrimet ndaj SHBA-së, duke shtuar se jo çdo deklaratë ose postim nga Uashingtoni duhet të shkaktojë tensione të mëdha në Evropë. Ai theksoi se bashkëpunimi mes BE-së dhe SHBA-së është kyç për paqen, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik global./UBTNews/