UBT News

Volvo në telashe, shkurton 3,000 vende pune

Prodhuesi suedez i veturave Volvo Cars ka njoftuar planet për të shkurtuar rreth 3,000 vende pune administrative për të ulur kostot, ndërsa po zhvendos fokusin nga automjetet plotësisht elektrike në ato hibride plug-in.

Një total prej 3,000 vendesh pune do të shkurtohen në nivel global, sipas kompanisë me seli në Göteborg, e cila kontrollohet nga grupi kinez Geely.

Shifra korrespondon me afërsisht 15 përqind të vendeve të punës në zyrë të Volvo Cars. Shumica e tyre ndodhen në Suedi.

Duke njoftuar bisedimet me sindikatat, drejtori ekzekutiv Hakan Samuelsson tha se atyre i’u desh të merrnin vendime të vështira.

“Industria e automobilave po kalon një fazë të vështirë. Për ta kapërcyer atë, kostot duhet të ulen në mënyrë strukturore”, shtoi Samuelsson.

Menaxhmenti njoftoi mbylljen e vendeve të punës që në fund të prillit, kur njoftoi rezultatet e biznesit në tremujorin e parë.

Një shumë shtesë prej 18 miliardë kronësh suedeze (pak më pak se 1.9 miliardë dollarë) synohet të kursehet nëpërmjet masave të tjera.

Shpenzime të veçanta prej rreth 1.5 miliardë kronash do të parashikohen në tremujorin e dytë, thanë ata.

Volvo u përqendrua herët në prodhimin e automjeteve plotësisht elektrike, dhe në vitet e fundit ka vuajtur pasojat e kostos së lartë të materialeve të baterive.

Menaxhmenti thekson se synojnë ta zhvendosin fokusin te hibridet plug-in. Që në tremujorin e parë, pjesa e makinave plotësisht elektrike u ul në 19 përqind, nga 21 përqind në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Exit mobile version