Vazhdimi i status quo-së në dialogun Kosovë-Serbi është i dëmshëm për Kosovën dhe mungesa e një marrëveshje finale po e pengon subjektivitetin ndërkombëtar të vendit.
Këto ishin ndër thekset kryesore të konferencës së sotme të KDI-së për ndikimin e dialogut në politikën e jashtme të Kosovës.
Pavarësisht kësaj, deputetja e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli tha se arritja e një marrëveshje me njohje reciproke, në kufijtë aktual nuk varet vetëm prej Kosovës.
“Qasja është që të arrijmë një njohje reciproke me Serbinë, ku ruhet tërësia territoriale. Suksesi i dialogut nuk varet vetëm prej Kosovës”, tha ai.
Të nevojshëm dialogun me Serbinë po e sheh edhe nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, e cila tregoi pozicionin e partisë opozitare për këtë proces.
“Dialogun e shohim të nevojshëm për të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon. Dialogu duhet të sjell një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke në kufijtë aktual dhe duke respektuar kushtetutshmërinë e vendit. Status quo-ja nuk është e mirë për Kosovën, nuk kemi liberalizim të vizave, mungesa e marrëveshjes finale po pengon anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, tha ajo.
Ndërsa, anëtari i kryesisë së PDK-së Bernard Nikaj, tha se politika e jashtme e Kosovës është e ndërlidhur me dialogun.