Aksionet e Samsung Electronics arritën të premten një rekord historik, duke u rritur me 6.1% dhe duke e çuar vlerësimin e kompanisë në rreth 620 trilionë won koreanë (afërsisht 433.7 miliardë dollarë amerikanë).
Kjo përbën rritje 77% vetëm gjatë 2025, duke e pozicionuar gjigantin teknologjik korean në qendër të vëmendjes së investitorëve globalë.
Sipas analistëve, ky sukses lidhet me pritjet për një rritje të fortë të kërkesës për komponentë të lidhur me Inteligjencën Artificiale, përfshirë çipat e memories DRAM dhe NAND.
Mungesat e përkohshme në furnizim mund të çojnë në rritje të çmimeve, duke përmirësuar fitimet e kompanisë në tremujorët e ardhshëm.
Ekspertët e industrisë parashikojnë se Samsung mund të sfidojë konkurrentin më të madh, SK Hynix, duke ofruar memorie me brez të gjerë për kompani si Nvidia dhe gjigantë tjerë të teknologjisë që po ndërtojnë platforma të reja të bazuara në AI.
Samsung dhe Nvidia janë në fazat përfundimtare të negociatave për vëllimet e furnizimit, çmimet dhe oraret e shpërndarjes, marrëveshje që pritet të forcojë ndjeshëm pozitën e Samsung në tregun global të teknologjisë.
Analisti amerikan Haris Khurshid e përshkroi këtë periudhë si “momentin e Inteligjencës Artificiale për Samsung”, duke theksuar:
“Kjo rritje nuk lidhet vetëm me çipat, por me besimin e investitorëve në aftësinë e kompanisë për të udhëhequr në epokën e AI. Samsung po përjeton momentin e vet të AI-së, duke kombinuar fuqinë teknologjike me potencialin tregtar.”
Kompania, e njohur për prodhimin e gjysmëpërçuesve, smartfonëve dhe pajisjeve elektronike, ka investuar miliarda dollarë në zgjidhje të reja të AI-së dhe qendra të avancuara prodhimi, duke synuar të mbetet lider në një sektor që po rritet me ritme të shpejta.
Vëmendja shtë përqendruar edhe te planet e investimeve të Samsung për fabrika të reja, partneritetet strategjike me kompani amerikane dhe kineze të teknologjisë, hapa që mund të forcojnë pozitën e saj si një nga furnizuesit kryesorë të komponentëve për industrinë e AI-së.
Ekspertët presin që aksionet e Samsung të vazhdojnë të kenë performancë pozitive në periudhën e ardhshme, për sa kohë që kërkesa për çipa të AI-së mbetet e lartë dhe kompania arrin të përmbushë kërkesat e tregut global. /A.Z/UBT News/