Bitcoin ka arritur majat më të larta prej më shumë se gjashtë javësh pasi ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do t’i jepte fund “persekutimit” të industrisë së kriptomonedhave nëse fitonte zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Vlera e kriptomonedhës u rrit për më shumë se 3%, duke arritur kulmin në rreth 69,745 dollarë, më i larti që nga 12 qershori, kur monedha arriti në mbi 69,800 dollarë. Kjo rritje u nxit nga komentet mbështetëse të Trump-it në konventën e Bitcoin-it 2024 në Nashville, Tennessee. Ai premtoi se do ta bënte SHBA-në liderin e kriptomonedhës në botë dhe se do të adoptonte një qëndrim më pro-bitcoin, ndryshe nga rivalja e tij, Kamala Harris.
Trump deklaroi: “I zotohem komunitetit të bitcoin se ditën që do të bëj betimin, kryqëzata kundër kriptove të Joe Biden-it dhe Kamala Harris-it do të përfundojë. Nëse ne nuk përqafojmë teknologjinë e kriptove, Kina do ta bëjë, të tjera vende do ta bëjnë. Ajo do të dominojë dhe ne nuk mund ta lëmë Kinën të dominojë.
Ai gjithashtu shprehu se do të shkarkonte kryetarin e SEC, Gary Gensler, në ditën e parë të presidencës së tij nëse fitonte zgjedhjet. Trump tha: “Ditën e parë, unë do të shkarkoj Gary Genslerin.” Gensler është një skeptik i njohur në lidhje me kriptomonedhat, duke e cilësuar bitcoin si një aktiv “spekulativ, i paqëndrueshëm” i përdorur për aktivitete të paligjshme, përfshirë ransomware dhe financimin e terrorizmit.
Që nga viti 2023, SEC ka nisur më shumë se 40 veprime shtrënguese të lidhura me kriptot. Në konventën e bitcoin-it, Trump njoftoi gjithashtu krijimin e një këshilli presidencial të kriptomonedhave dhe planin për të ndërtuar një “magazinë” kombëtare duke përdorur kriptomonedhën që qeveria amerikane ka sekuestruar në veprimet e forcave të zbatimit të ligjit. Ai u bëri thirrje njerëzve që të mos shesin bitcoin-et e tyre, duke shtuar: “Nëse zgjidhem, do të jetë politika e administratës sime që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbajnë të gjitha kriptomonedhat e sekuestruara.”/UBTNews/