Në kujtim të 11 Shtatorit 2001, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett, kanë vendosur kurora me lule te pllaka përkujtimore e cila ndodhet ndërmjet objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova dhe populli i saj, si populli më pro amerikan në botë, kanë qëndruar me popullin amerikan edhe atëherë kur ndodhi sulmi terrorist e qëndrojnë edhe sot.
“Kosova dhe ShBA-ja do të qëndrojnë bashkë çdo herë në luftimin e terrorizmit edhe në luftimin e të gjitha fenomeneve negative”, ka thënë Osmani.
Osmani tha se lidhja mes Kosovës dhe Amerikës është e përhershme.
Më këtë datë, në vitin 2001, më shumë se 3 mijë njerëz humbën jetën nga sulmet mbi dy kullat binjake në Nju Jork, në një sulm që u konsiderua si terrorist, pas së cilës pasoi ndërhyrja amerikane në Irak dhe Afganistan.