Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi një takim midis të dërguarve të SHBA-së dhe Rusisë në Riad, duke e quajtur atë “bisedime për Ukrainën pa Ukrainën”.
Zelensky foli në një konferencë për shtyp në kryeqytetin turk Ankara, ku u takua me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
“Sot diskutuam në detaje proceset globale që mund të çojnë në përfundimin e kësaj lufte”, tha Zelensky, duke shtuar se ata morën parasysh opsione të ndryshme.
Ai theksoi se “është e rëndësishme që çdo bisedë për përfundimin e luftës të mos zhvillohet pas shpinës së palëve të përfshira drejtpërdrejt në të”.
Për paqen e qëndrueshme, tha ai, “është e rëndësishme të mos bëni asnjë gabim”.
“Të gjitha palët duhet të jenë në tryezën e bisedimeve – Amerika, Evropa dhe Ukraina”, përfundoi Zelensky.
Kujtojmë, asnjë zyrtar ukrainas nuk ishte i ftuar në negociatat SHBA-Rusi në Arabinë Saudite.