Policia e Kosovës brenda 24 orëve njofton se janë raportuar një seri vjedhjesh të rënda, duke përfshirë banesa, lokale, kompani dhe infrastruktura publike. Një nga rastet ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar, ndërsa hetimet për të gjitha ngjarjet e tjera vazhdojnë.
Në Prishtinë, në rrugën “Malush Kosova”, persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në një banesë, prej nga kanë vjedhur para të gatshme dhe stoli ari. Ndërkohë, në një rast tjetër në rrugën “Agim Ramadani”, pas hetimeve policia ka arritur të arrestojë një person të dyshuar për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme ari nga një lokal. Nga ai është sekuestruar edhe një veturë dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Raste vjedhjesh janë raportuar edhe në Fushë Kosovë, përkatësisht në fshatin Sllatinë, ku është vjedhur një trafo e energjisë elektrike nga një shtyllë, si dhe naftë nga një kamion dhe makineri të tjera pune.
Në Gjilan, persona të panjohur kanë hyrë me forcë në objektin e një kompanie në rrugën “Enver Rexhepi”, prej nga kanë vjedhur fije metalike të bakrit.
Ndërsa në Ferizaj, është raportuar se janë vjedhur para nga një arkë, ku përveç kësaj janë shkaktuar edhe dëme materiale duke dëmtuar dy dyer.
Të gjitha rastet janë duke u hetuar nga organet kompetente në koordinim me prokurorin.
