UBT News

Vjedhje të rënda në disa rajone të Kosovës, arrestime dhe hetime në vazhdim

Sipas raportit të fundit të Policisë së Kosovës, disa raste të vjedhjeve të rënda janë regjistruar në rajone të ndryshme të vendit, përfshirë Prishtinën, Gllogocin dhe Gjilanin.

Në fshatin Prugovc të Prishtinës, një rast i ndodhur më 23 prill ka çuar në arrestimin e një të dyshuari më 26 prill. Sipas policisë, i dyshuari kishte depërtuar me forcë në shtëpinë e viktimës dhe kishte kryer vjedhje. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Një tjetër rast është raportuar më 26 prill rreth orës 18:21 në fshatin Fushticë e Poshtme, në Gllogoc, ku persona të panjohur dyshohet se kanë hyrë me forcë në një shtëpi dhe kanë kryer vjedhje. Policia bën të ditur se rasti është duke u hetuar.

Ndërkohë, në Gjilan, më 26 prill rreth orës 11:23, janë identifikuar dhe arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se disa ditë më parë kishin depërtuar me forcë në shtëpinë e një qytetari dhe kishin vjedhur gjësende të ndryshme. Sipas policisë, sendet e vjedhura janë kthyer te pronari, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Autoritetet njoftojnë se hetimet lidhur me këto raste po vazhdojnë.

Exit mobile version