Kadri Shalës, pronarit të kompanisë “LDA Group”, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Këtë e ka konfirmuar për UBTNews, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Mund të konfirmojmë se, me vendim të Prokurorit kompetent, personit të vetëdorëzuar në Policinë e Kosovës iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, deklaroi ai.
Edhe Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se është ndaluar për 48 orë Kadri Shala, nën dyshimin se ka qenë i përfshirë në rastin e keqpërdorimit në Thesarin e Shtetit.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se, sot ka lëshuar aktvendim për ndalimin e personit të arrestuar, të dyshuarit me inicialet K.Sh, me dyshimin se ka qenë i përfshirë në rastin e keqpërdorimit të ndodhur në Departamentin e Thesarit/Ministria e Financave e Republikës së Kosovës”, njofton Prokuroria Speciale.
Shala është pronari i kompanisë “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit, ku ishin bërë transaksion mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit. Ai dje u vetëdorëzua në Polici./UBTNews