Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim Kadri Shalës, pronarit të LDA Group, i cili dyshohet se është i përfshirë në skandalin e mbi dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Themelorja njofton se të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji duke filluar prej datës 26 tetor 2020 deri me datë 25 nëntor 2020.
“Të pandehurit Kadri Shala i është caktuar masa e paraburgimit, pasi që i njëjti mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë, mund të pengon rrjedhjen e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar dhe bashkëpjesëmarrës tjerë, andaj caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurin Kadri Shala është masë adekuate për sigurimin e pranisë së tij në procedurë penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Palët kanë të drejtën e ankesës kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./UBTNews