Akademia Verore për Inxhinierinë Ndërtimore dhe Infrastrukturën, pjesë e Global UBT Fest 2024, filloi me aktivitete të rëndësishme që ofruan mundësi të vlefshme për zhvillim profesional dhe shkencor.
Aktiviteti u hap në Parkun Shkencor, Teknologjik dhe Inovativ të UBT-së në Lipjan, duke mbledhur së bashku studentë dhe profesionistë të fushës së ndërtimtarisë dhe infrastrukturës.
Studentët dhe stafi i UBT-së vizituan Komunën e Ferizajt, ku drejtuesit komunal prezantuan projektet e realizuara, ato aktuale dhe të planifikuara. Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Arbër Bytyqi, drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Meriton Hajdini, dhe inxhinierja Leonora Zeqiri, ndanë përvojat dhe sfidat e hasura gjatë realizimit të projekteve. Pjesëmarrësit patën mundësinë të bëjnë pyetje dhe të diskutojnë rreth projekteve me përfaqësuesit komunal.
Në Fabrikën e Drurit të menaxhuar nga OXA Group, pjesëmarrësit u njohën me vijën e prodhimit dhe proceset e ndryshme të përpunimit të drurit. Menaxheri i prodhimit, Kushtrim Shahini, prezantoi fazat e prodhimit, nga përpunimi i lëndës së parë deri te finalizimi dhe përgatitja për eksport. Diskutimet përfshinë edhe pjesëmarrjet në panaire, marketingun dhe sigurinë në punë.
Pjesëmarrësit vizituan punishën e ndërtimit të një nënkalimi për automjete dhe këmbësorë afër stacionit policor, ku drejtori i Infrastrukturës, Meriton Hajdini, inxhinieri mbikëqyrës Agim Dërguti dhe përfaqësuesi i kompanisë “Linda” prezantuan detajet e projektit. Pjesëmarrësit patën mundësinë të shohin nga afër proceset e ndërtimit dhe të diskutojnë mbi sfidat dhe teknikat e përdorura.