Gjatë vizitës së kryeministrit, Edi Rama në Prishtinë, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës së kryeministrit Edi Rama, më 6 dhe 7 korrik, me rastin e vizitës në Prishtinë.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, me 06.07.2023, nga Aeroporti Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në drejtim të Prishtinës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta”, bëjnë të ditur nga Policia.
Po ashtu, bëhet e ditur se në disa segmente rrugore në kryeqytet do të ketë ndërprerje të qarkullimit të automjeteve, do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, për çka Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
Edhe nesër, gjatë kthimi të tij nga Prishtina në drejtim të Aeroportit do të aplikohen masat e njëjta.