Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vijon të udhëheqë me vizion dhe përkushtim në formësimin e një të ardhmeje të bazuar në teknologji dhe inovacion.
Në Konferencën “The Future 2030” dhe “Cyber Defence Albania”, organizuar nga Nexus Albania, Rektori Hajrizi prezantoi projektin vizionar “UBT Smart City”, një qasje revolucionare drejt qyteteve të qëndrueshme dhe të integruara. Ky projekt është një iniciativë revolucionare për zhvillimin urban të qyteteve të së ardhmes, duke integruar teknologjinë dhe risitë për të krijuar qytete të zgjuara, të lidhura dhe të qëndrueshme.
Gjatë fjalës së tij, Prof. Hajrizi theksoi se “UBT Smart City”, synon të krijojë një model të ri urban që ndërthur përparimet teknologjike me nevojat e përditshme të qytetarëve. Ai shpjegoi se projekti është i fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës urbane, menaxhimin e energjisë dhe trafikut përmes sistemeve inteligjente, dhe përhapjen e hapësirave të ndërlidhura që bashkojnë qytetarët, bizneset dhe institucionet publike në një mjedis të integruar. Po ashtu, theksoi rëndësinë e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave, duke i konsideruar ato si elemente të domosdoshme për të ruajtur besimin dhe qëndrueshmërinë e këtij modeli urban të avancuar.
Rektori Hajrizi e vuri theksin te roli i teknologjisë si një forcë transformuese në ndërtimin e qyteteve të zgjuara, duke nënvizuar se ky projekt është një hap i rëndësishëm për të ndërtuar një qytet që është jo vetëm efikas, por gjithashtu i orientuar drejt përmirësimit të cilësisë së jetesës dhe ruajtjes së mjedisit. Ai theksoi se këto projekte kërkojnë angazhimin e të gjithë aktorëve të shoqërisë: institucioneve arsimore, sektorëve privat dhe administratës publike, për të krijuar mundësi zhvillimi dhe rritje të qëndrueshme.
Në kuadër të diskutimit mbi temën “Ekosistem i bazuar në inovacionin sipërmarrës”, Rektori Hajrizi shpalosi një vizion të gjerë mbi ndërtimin e ekosistemeve që mbështesin kreativitetin dhe sipërmarrjen. Ai u fokusua në ndikimin që ekosistemet inovative mund të kenë në zhvillimin ekonomik dhe social, duke promovuar kultura sipërmarrëse të bazuara në teknologji dhe duke vënë në pah rëndësinë e institucioneve arsimore si qendra të inovacionit dhe zhvillimit ekonomik. Sipas tij, universitete si UBT mund të luajnë një rol kyç në fuqizimin e sipërmarrjes dhe krijimin e mundësive për zhvillimin e qëndrueshëm, duke ofruar mundësi për të rinjtë dhe duke mbështetur zhvillimin e biznesve lokale dhe rajonale.
Në fjalimin e tij, Prof. Hajrizi tha se: “Kjo iniciativë është një shembull konkret i mënyrës se si mund të ndërtojmë qytete të orientuara drejt qytetarëve dhe mjedisit, duke bashkuar teknologjinë dhe inovacionin për të krijuar një të ardhme më të mirë për të gjithë”.
Konferenca mblodhi një audiencë të gjerë nga fushat e teknologjisë, inovacionit dhe sigurisë kibernetike, dhe ofroi mundësi të shkëlqyera për ndarjen e ideve dhe praktikave më të mira. Ky takim u bë një platformë e rëndësishme për diskutimin e projekteve që mund të ndihmojnë në krijimin e një të ardhmeje më të zhvilluar dhe më të qëndrueshme për të gjithë. Konferenca theksoi gjithashtu pozitën udhëheqëse të UBT-së në edukimin dhe inovacionin, duke e bërë atë një model për institucione të tjera arsimore që duan të kontribuojnë në zhvillimin e qyteteve të së ardhmes./UBTNews/