Gjatë vitit 2020, në Klinikën e Neonatologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), u mjekuan 9 mijë e 382 foshnje.
Prej tyre 8 mijë e 905 foshnje ishin referuar nga Klinika e Gjinekologjisë, kurse 477 të tjerë nga spitalet rajonale, spitalet privat apo nga shtëpia, për shkak të manifestimeve klinike. Kështu kanë bërë të ditur nga Shërbimi Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).
Kurse në hapësirën e destinuar për trajtimin e rasteve të dyshuara apo të konfirmuara me COVID-19, janë pranuar 60 foshnje të lindura, e që katër prej tyre kanë rezultuar pozitiv.
“Në Klinikën e Neonatologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit 2020 kanë marrë shërbime mjekësore 9382 foshnje. Prej tyre, 8 mijë e 905 foshnje janë referuar nga Klinika e Gjinekologjisë, kurse 477 të tjera nga spitalet rajonale, spitalet private apo nga shtëpia, për shkak të manifestimeve klinike. Në Kujdesin Intensiv dhe Gjysmë Intensiv të Klinikës së Neonatologjisë, janë trajtuar 1256 foshnje, nga to 512 iu kanë nënshtruar ventilimit mekanik (ventilatorit), ndërsa 512 foshnje tjera janë vendosur në CPAP Nazal (presion pozitiv me oksigjen). Tek 160 foshnje të lindura para kohe, ndërkaq është aplikuar survanta (substancë që nuk prodhohet në mushkëritë e foshnjave të lindura para kohe). Në hapësirën e destinuar për trajtimin e rasteve të dyshuara apo të konfirmuara me COVID-19, janë pranuar 60 foshnje të lindura, prej tyre vetëm katër kanë rezultuar pozitiv”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.
Në bazë të raportit vjetor, janë kryer 3646 vizita ambulantore, derisa janë realizuar 915 Echokardiografi, 858 Echo të Abdomenit dhe 787 Echo të Sistemit Nervor Qendror.