Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia priti sot në takim kryetaren e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imerin dhe përfaqësuesit e FSSHK-së.
Në këtë takim, siç informoi MSh, temë kryesore ishin kërkesat e veçanta për infermierë dhe për punonjësit shëndetësorë në administratë.
“Të pranishmit u dakorduan në parim që sa më parë të fillojë dialogu social për kontratën kolektive, brenda së cilës do të adresohen një pjesë e madhe e kërkesave që sot FSSHK i paraqiti gjatë takimit”, u bë e ditur në komunikatë.
Ministri Vitia tha se do t’i adresojë të gjitha kërkesat dhe se Ministria e Shëndetësisë do ta trajtojë me seriozitet të lartë secilën kërkesë të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.