Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pritur sot në takim Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, të cilit i ka uruar mirëseardhje dhe suksese në detyrën e tij të re.
Sipas njoftimit të Ministrisë, gjatë këtij takimi ata kanë diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve,
“Ambasadori Hargreaves shprehu kënaqësinë e tij për të qenë në Kosovë dhe për të kontribuar në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve mike. Ministri Vitia falënderoi Ambasadorin Hargreaves për bashkëpunimin e ngushtë në fushën e shëndetësisë dhe ndihmën e dhënë nga Anglia. Ministri gjithashtu falënderoj Royal College of General Practitioners për mbështetjen e tyre mbi dy dekada të Mjekësisë Familjare në Kosovë. Programi i Mjekësisë Familjare, i akredituar ndërkombëtarisht nga ky kolegj, ka ndikuar në ngritjen e cilësisë së shërbimeve të kujdesit parësor shëndetësor për qytetarët”, thuhet në njoftim.
Ambasadori Hargreaves në këtë takim ishte i shoqëruar nga Zyrtari për Politika Ekonomike dhe Tregtare në Ambasadën Britanike në Kosovë, Blond Gerqari.