Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë të jashtëzakonshme për medie ka akuzuar për falsifikim të dokumenteve “Pharma Leader”, kompaninë private e cila është ofertuese në tenderin për insulina. Ai tha se provat që i ka siguruar Ministria, i ka dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit.
“E kemi ftuar këtë konferencë të jashtëzakonshme me shkas. Jemi sot këtu që ta shprehim shqetësimin tonë lidhur me dyshimet për veprën penale falsifikim të dokumenteve në tender nga operatori ekonomike ‘Pharma Leader’. Dje, më datë 12.06.2023 jemi njoftuar zyrtarisht se kompania në fjalë nuk ka pasur asnjë leje për të importuar insulina në Republikën e Kosovës. As nga prodhuesi amerikan, e as nga kompania në Maqedoni të cilën pretendon. Në dokumentin e muajit maj 2023 operatori ekonomik e ka ofruar një dëshmi nga Farmatrade në gjuhën angleze me qëllim të konfirmimit të rregullësisë së dëshmisë ministria e Shëndetësisë ka kontaktuar përmes shkresave elektronike me kompaninë Farmatrade në selinë në Maqedoninë e Veriut. Nga ana e kompanisë “Pharma Trade” kemi pranuar përgjigjen me shkrim se dëshmia e ofruar nga “Pharma Leader” nuk është valide dhe ata nuk kanë ofruar asnjë dëshmi të tillë. Operatori ekonomik “Pharma Leader” dyshohet tashmë se ka ofruar dokumente të falsifikuara gjë që konsiderohet vepër penale”.
“Ministria e Shëndetësisë çdo herë në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje të gjitha kompanive q t’i regjistrojnë produktet. Në këtë rast, të gjitha kompanitë prodhuese të insulinave t’i regjistrojnë produktet e tyre në Republikën e Kosovës, për një produkt sa të rëndësishëm aq sa jetik për të gjithë pacientët që janë të varur nga insulinat”.
“Kompania në fjalë nuk ka dashur të aplikoj për autorizim për shkak se nuk ka mundur, nuk ka nuk ka pasur leje nga prodhuesi amerikan. Pyetja që shtrohet këtu nga do i merrnin insulinat kur nuk kanë pasur leje për t’i marr ato amerikane. Produkte false, kontrabandë apo çka kjo duhet kuptuar dhe sqaruar sa më parë. Këto prova i kemi dërguar në organet e sigurisë. Gjitha shkresat elektronike i kanë organet e sigurisë, ku dyshohet për vepër penale si falsifikimi i dokumentit me qëllim të përfitimit të jashtëligjshëm”, tha ai.