Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se shtatë për qind do të jenë të ardhurat që do të arkëtohen nga Fondi i sigurimeve shëndetësore, ku 3.5 për qind do të jetë nga paga e qytetarëve, ndërsa 3.5 për qind nga punëdhënësi.
Vitia në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë, tha se pas miratimit të Projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor do të finalizohet sigurimi shëndetësor.
“Kostoja shtesë për qytetarët do të jetë një mbledhje e kontributeve shtesë në emër të solidaritetit që ti shtohet buxhetit për shëndetësi. Të gjitha këto investime që i keni pa kohëve të fundit do të marrin shtysë edhe më shumë me këto fonde. Në këtë drejtim shtatë për qind do të jenë të ardhurat që do të arkëtohen në fondin e sigurimeve shëndetësore, ku 3.5 për qind do të jetë nga paga e qytetarëve dhe 3.5 për qind nga punëdhënësi”, tha ai.
Vitia shtoi se janë afër të finalizojnë edhe shërbimin informativ shëndetësor, mirëpo po presin miratimin e marrëveshjes ndërkombëtare në Kuvend me Bankën Botërore.
“Për funksionalizimin e plotë të sigurimeve shëndetësore është edhe sistemi informativ shëndetësor. Jeni të njoftuar se në vitin 2023 ka përfunduar studimi i fizibilitetit dhe menjëherë është hartuar një plan veprimi dhe para pak muajsh kam përfunduar të gjitha negociatat dhe është nënshkruar marrëveshja me Bankën Botërore për financimin e këtij plani të veprimit dhe shpresojmë shumë që në Kuvend të procedohet kjo marrëveshje dhe sapo të votohet do të vazhdojmë me investimin”, theksoi ministri Vitia.
Në anën tjetër, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kanë pasur konsultime me përfaqësues të sindikatave dhe bizneseve për rritjen e pagës minimale në 350 euro bruto.
“Gjatë konsultimeve dhe takimeve që kemi pasur ndërkohë gjatë këtyre dy viteve është parë se niveli prej 264 euro sa ka qenë tashmë është vjetruar, sidomos gjatë vitit 2022 dhe 2023. Përveç kostos së jetës duhet të merret edhe niveli i punësimit…Konsideroj se në kuadër të konsultimeve edhe në baza ditore që kemi me komunitetin e biznesit, por edhe me përfaqësues, punëtorët në këtë rast, ky hap është i domosdoshëm dhe i nevojshëm që të bëjmë kapërcënimin që më se një dekadë ka qenë i pamundur”, theksoi Murati.
Krahas kësaj, ai tha se po punojnë që në kuadër të reformës pensionale të shihet si do të rritet niveli i pensioneve të moshës, por edhe të kategorive të dala nga lufta.
“Jemi duke punuar në vazhdimësi qoftë në edhe kuadër të reformës pensionale që jemi duke përgatitur që të shohim mënyra sesi mund të rritet niveli i pensioneve dhe të krijohet një sistem i qëndrueshëm afatgjatë”, përfundoi Murati.