UBT News

Vitia dhe kryetarët e komunave diskutojnë sot për masat antiCOVID

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia do të mbajë sot një takim me kryetarët e komunave të Kosovës.

Në këtë takim virtual që do të mbahet mes Vitisë dhe kryetarëve të komunave do të diskutohet lidhur me masat antiCOVID-19 të vendosura për parandalimin e përhapjes së virusit korona.

Takimi virtual do të fillojë në ora 10:00. Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

“Po, nga ora 10:00 do të kemi takimin me kryetarët dhe me ministrin Vitia”, tregoi Ibrahimi.

Ndërkohë që kohë më parë Qeveria e Kosovës, në krye me Albin Kurtin kanë vendosur masat kundër COVID-19, përmes të cilave ndalohet puna e gastronomëve dhe qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:30 deri në ora 05:00.

Lirim të masave po kërkojnë edhe gastronomët, të cilët të martën edhe protestuan para Qeverisë së Kosovës nën moton “Me një vaksinë nuk çel vera”.

Në këtë protestë morën pjesë pronarët e këtij biznesi nga e gjithë Kosova për të shprehur pakënaqësinë për masat antiCOVID- dhe duke kërkuar largimin e tyre, përfshirë edhe orën policore.

Ndërsa javët e fundit ka pasur rënie të numri të të vdekurve, por edhe të rasteve pozitive me COVID-19. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar për se aktualisht janë 3 mijë e 303 raste aktive me COVID-19.

Numri total i rasteve pozitive është 107 mijë e 269 raste nga 597 mijë e 19 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2 mijë e 241 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 258 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 101 mijë e 725.

Exit mobile version