UBT News

Vitia dhe Kosnett s’përjashtojnë masat e reja antiCOVID

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett kanë vlerësuar se situate aktuale me COVID-19 në Kosovë është shqetësuese dhe po kërkojnë respektim të masave në fuqi, pa e përjashtuar edhe plotësimin e këtyre masave me të tjera, duke u bazuar në ecurinë e situatës epidemiologjike në vend.

Në takimin e tyre që u mbajt sot, është theksuar se pandemia ka përkeqësuar situatën, përveç në rrafshin shëndetësor edhe në atë ekonomik e social.

Ministri Vitia dhe Ambasadori Kosnett kanë diskutuar edhe për fillimin e procesit të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë dhe angazhimet e Qeverisë dhe MSh për sigurimin e dozave të tjera me qëllim që të arrihet një mbulueshmëri sa më e lartë e popullatës me vaksinim.

“Në këtë aspekt, Ministri Vitia e ka vlerësuar si shumë të nevojshme ndihmën nga partnerët dhe është shprehur mirënjohës për SHBA-të të cilët janë një nga donatorët kryesorë të skemës globale të vaksinimit, COVAX si dhe kontributin e përhershëm për shëndetësinë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ambasadori Kosnett ka theksuar se SHBA-të përmes programeve të tyre do të vazhdojnë të jenë partner të institucioneve të Kosovës në fuqizimin e angazhimeve për përballimin e situatës me COVID-19 dhe sigurimin e një përgjigje adekuate ndaj kësaj situate, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës në Kosovë./UBTNews

Exit mobile version