Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se situata epidemiologjike javët e fundit është përmirësuar ndjeshëm. I pari i Shëndetësisë në Komisionin për Shëndetësi deklaroi se deri në fund të vitit pritet që Kosova t’i ketë rreth 2 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19.
“Deri në fund të këtij viti do t’i kemi diku rreth 2 milionë doza të vaksinës dhe kjo do të vazhdojë. Deri më tani në Kosovë kanë ardhur 178 mijë doza. Edhe nga Pfizeri janë siguruar mbi 1 milionë e 200 mijë vaksina. Procesi i vaksinimit po vazhdon tani është hartuar dhe plani i veprimit për vaksinim masiv dhe do të fillojë zbatimin nga 15 qershori, që nënkupton se do të vazhdojë vaksinimi në masë. Kemi detajuar rrugët qe të arrijmë tek ky plan i vaksinimit. Kemi planifikuar shtimin e kapaciteteve mjekësore, hapësinore etj. Do të rriten kapacitetet në 190 ekipe shtesë për vaksinim”, tha ai.
Ministri Vitia deklaroi se vaksinimi ishte dhe është prioritet kryesor i Qeverisë.
“Të dhënat nga IKShPK tregojnë se numri i rasteve të vdekjeve ka një ulje prej 60 përqind. Nga fillimi u testuan mbi 600 mijë persona, janë 107 mijë që kanë rezultuar pozitiv nga fillimi i pandemisë. Situata e përmirësuar ka rezultuar edhe më rënien e të hospitalizuarve. Kjo u jep frymëmarrje shërbimeve klinike dhe profesionistëve shëndetësorë. Kjo ulje e qartë e rasteve pozitive është rezultat i masave të marra, fillimi i procesit të vaksinimit, mbikëqyrja e masave. Sa i përket vaksinimit, nga fillimi ishte dhe është prioriteti kryesor”, tha Vitia.
Shqetësuese e konsideron edhe numrin e madh të specializantëve të pranuar gjatë qeverisjes së kaluar, për çka tha se është në shpërputhje dhe nuk ka hapësira për sistemim të tyre në hapësirat e klinikave të QKUK-së derisa tha se QKMF-të kanë mbetur edhe pa mjek./UBTNews