Associated Press
E humbëm Twitter-in dhe e fituam X-in. I provuam Bluesky-in dhe Mastodon-in (epo, disa nga ne e bëmë). U shqetësuam për ‘bot’-ët e inteligjencës artificiale (IA) dhe për shëndetin mendor të të rinjve. Kaluam kohë në biseda private online dhe u sorollatëm pafundësisht nëpër rrjete sociale siç bënim edhe në vitet e kaluara. Për përdoruesit e rrjeteve sociale, viti 2023 ishte një vend i fillimeve dhe i mbarimeve.
Më poshtë mund t’i lexoni disa prej ndodhive më të mëdha në rrjetet sociale më 2023 – si dhe çfarë të presim vitin e ardhshëm:
Lamtumirë Twitter
Para pak më shumë se një viti, Elon Musk u fut në zyrat qendrore të Twitter-it në San Francisko, e shkarkoi shefin ekzekutiv të tij dhe shefat e tjerë të lartë, duke e nisur shndërrimin e platformës së rrjetit social në atë që sot njihet si X.
Musku e zbuloi logon e X-it në korrik. Ai e ndryshoi shpejt emrin e Twitter-it dhe ikonën e kaltër të zogut, online dhe në zyrat qendrore të kompanisë në San Françisko.
“Dhe, së shpejti, ne do t’i themi lamtumirë markës së Twitter-it dhe, dalëngadalë, të gjithë zogjve”, shkroi Musk.
Për shkak të natyrës publike dhe për shkak se tërhiqte figura publike, gazetarë dhe përdorues të tjerë të profilit të lartë, Twitter-i gjithmonë ka pasur ndikim të madh në kulturën popullore – por ky ndikim duket se po shkon drejt shuarjes.
“Kishte shumë telashe edhe para se Musku ta merrte në dorë, ishte një markë e dashur me një rol të qartë në mjedisin e rrjeteve sociale”, tha Jasmine Enberg, analiste e rrjeteve sociale në Insider Intelligence.
Prejse u ble nga Musk, X-i është bombarduar me akuza për keqinformim dhe racizëm, ka pësuar humbje të mëdha financiare dhe rënie në përdorim. Musku tha se reklamuesit, të cilët u tërhoqën ishin të përfshirë në “shantazh” dhe u kërkoi atyre të “zhdukeshin”.
Duke i mirëpritur përdoruesit, të cilët ishin pezulluar nga ish-Twitter për shkak të gjuhës së urrejtjes, apo përhapjes së keqinformimit, në dhjetor, Musku ia ktheu llogarinë teoricienit konspirativ Alex Jones, duke u bazuar në një sondazh joshkencor që e kishte bërë me ndjekësit e vet. Jones e kishte cilësuar vazhdimisht si të rremë sulmin me të shtëna në shkollën “Sandy Hook” më 2012.
LGBTQ-ja dhe organizata të tjera që përkrahin grupet e margjinalizuara, ndërkohë, kanë alarmuar se X-i po bëhet vend më i pasigurt. Në prill, për shembull, X-i e hoqi në qetësi një rregullore e cila i mbronte transgjinorët. Në qershor, grupi avokues GLAAD e quajti atë si “platformën më të rrezikshme për njerëzit LGBTQ”. GLSEN, një grup edukues i LGBTQ-së, njoftoi në dhjetor se po largohet nga X-i, duke iu bashkuar edhe grupeve të tjera.
Përshëndetje X, Threads dhe Bluesky
Ndër ambiciet e Muskut për X-in është edhe shndërrimi i kësaj platforme në një “aplikacion për gjithçka” – sikurse WeChat në Kinë, për shembull. Puna është se nuk dihet nëse audiencat në SHBA dhe Perëndim janë të etura për një ide të tillë. Edhe vetë Musku është i paqartë për hollësitë.
Derisa X-i po vuan nga një krizë e identitetit, disa përdorues janë në kërkim të një zëvendësuesi. Mastodon ishte njëri nga kandidatët, bashkë me Bluesky, i cili në fakt, doli nga Twitter-i.
Dhjetëra mijëra njerëz, shumica përdorues të ngopur me Twitter-in, filluan të regjistrohen në aplikacionin Bluesky në pranverë, i cili ende funksionon vetëm me ftesa. Ky aplikacion ka më pak se vetëm 10 punëtorë, thotë drejtoresha e tij ekzekutive, Jay Graber.
Kjo nënkuptoi “përpjekje për ta bërë çdo gjë të jetë funksionale, për t’i mbajtur njerëzit online, përpjekje për të shtuar veçori, të cilat i kishim në udhëzues”, tha ajo, duke shtuar se “puna vetëm sa po rritej për t’u siguruar se sistemet mund ta përballonin fluksin e njerëzve”.
Duke e parë mundësinë për t’i joshur përdoruesit e pakënaqur të Twitter-it, pronarja e Facebook-ut, Meta, e lëshoi rivalin e tij, Threads, në korrik. Kjo platformë u rrit shpejt, pasi dhjetëra miliona njerëz filluan të regjistroheshin në të, megjithëse për të ka qenë goxha sfidë t’i mbajë njerëzit brenda. Pastaj, në dhjetor, shefi ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, njoftoi befasisht se kompania po e testonte ndërveprueshmërinë – idenë e nisur nga Mastodon dhe Bluesky dhe rrjetet e tjera sociale, të cilat ua mundësojnë njerëzve të jenë në gjendje t’i përdorin llogaritë e veta në platforma të ndryshme – pak a shumë sikur email adresat, apo numrat telefonikë.
“Po e fillojmë një testim ku postimet nga llogaritë në Threads do të jenë në dispozicion në Mastodon dhe shërbimet e tjera që përdorin protokollin ActivityPub”, shkroi Zuckerberg.
Shqetësimet për shëndetin mendor
Ndikimi i rrjeteve sociale në shëndetin mendor të fëmijëve është rritur këtë vit, me kryemjekun amerikan që paralajmëroi në maj se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të treguar se rrjetet sociale janë vend i sigurt për fëmijët dhe adoleshentët.
Ai u bëri thirrje kompanive teknologjike, prindërve dhe kujdestarëve të ndërmarrin veprime të menjëhershme për t’i mbrojtur fëmijët.
“Ne u bëjmë thirrje prindërve ta menaxhojnë një teknologji, e cila është duke u zhvilluar me shpejtësi të madhe, e cila thelbësisht e ndryshon mënyrën se si fëmijët e tyre mendojnë për veten, mënyrën se si ata ndërtojnë shoqëritë e tyre dhe mënyrën se si e përjetojnë botën”, tha Vivek Murthy për Associated Press.
Në tetor, dhjetëra shtete amerikane e paditën Meta-n për dëmtimin e të rinjve dhe për ndikimin në krizën e shëndetit mendor te të rinjtë, duke dizajnuar me vetëdije veçori në Instagram dhe Facebook, të cilat i bëjnë fëmijët të varur nga platformat e tyre.
Gjërat për të cilat duhet të jemi të vëmendshëm më 2024
Miqtë tuaj të inteligjencës artificiale kanë mbërritur – por ‘chatbot’-ët janë vetëm fillimi. Duke qëndruar në oborrin e kompanisë së tij në Menlo Park, Kaliforni, Zuckerbergu tha në vjeshtë se Meta është “e përqendruar në ndërtimin e një të ardhme të lidhjes njerëzore” – dhe tregoi se si në të ardhmen e afërt njerëzit mund të ndërveprojnë me versionet prej hologrami të miqve të tyre apo kolegëve, dhe me ‘bot’-ët e inteligjencës artificiale, të ndërtuar për t’iu asistuar atyre.
Kjo kompani shpalosi një ushtri të ‘bot’-ëve të inteligjencës artificiale – me të famshmit si Snoop Dogg dhe Paris Hilton i huazuan fytyrat e tyre për to – që përdoruesit e rrjeteve sociale të ndërveprojnë me ta.
Vitin e ardhshëm, inteligjenca artificiale do të “integrohet në praktikisht çdo cep të platformave”, tha Enberg.
“Aplikacionet e rrjeteve sociale do ta përdorin inteligjencën artificiale për ta nxitur përdorimin, fitimin nga të hyrat dhe reklamat, rritjen e abonuesve dhe aktiviteteve komerciale. Inteligjenca artificiale do ta shtojë varësinë e përdoruesve dhe reklamuesve, si dhe marrëdhëniet me mediat sociale, por zbatimi i saj nuk do të jetë i lehtë, sepse do të ketë edhe rritje të rregullave dhe mbikëqyrjes”, shtoi ajo.
Duke qenë se do të ketë zgjedhje të rëndësishme presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Indi dhe vende të tjera, roli i inteligjencës artificiale dhe rrjeteve sociale në keqinformim do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes së vazhduesve të rrjeteve sociale./REL