Në vitin 2024 janë vrarë më shumë gazetarë se në çdo vit tjetër, tha Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) në një raport.
CPJ, i cili filloi të mbledhë të dhëna para rreth 30 vjetëve, tha se të paktën 124 gazetarë dhe punonjës të medias u vranë në vitin 2024.
Në raport thuhet se në vrasjen e gazetarëve ka ndikuar rritja e numrit të konflikteve në mbarë botën – qofshin ato politike, kriminale apo ushtarake.
Lufta në Rripin e Gazës ka ndikuar më së shumti në rritjen e numri, pasi një numër i paparë gazetarësh dhe punonjësish të medias u vranë vrarë në këtë luftë, tha CPJ, e cila është organizatë joqeveritare me qendër në SHBA e përkushtuar për mbrojtjen e lirive të gazetarëve dhe të drejtave.
Pothuajse dy të tretat e numrit të përgjithshëm të punonjësve të medias të vrarë në mbarë botën janë palestinezë, sipas raportit. Vitin e kaluar u vranë 85 gazetarë, ndërsa në vitin 2023 u vranë 73.
“Tani është koha më e rrezikshme për të qenë gazetar në historinë e CPJ-së”, tha drejtoresha ekzekutive e CPJ-së, Jodie Ginsberg.
“Lufta në Gaza është e paprecedentë në ndikimin e saj tek gazetarët dhe demonstron një përkeqësim të ndjeshëm të normave globale për mbrojtjen e gazetarëve në zonat e konfliktit, por është larg nga i vetmi vend ku gazetarët janë në rrezik. Shifrat tona tregojnë se gazetarët janë nën sulm në mbarë botën“, shtoi ajo.
CPJ tha se zbuloi se të paktën 24 gazetarë në mbarë botën u vranë qëllimisht për punën e tyre vitin e kaluar.
Ai tha se në Rripin e Gazës dhe Liban ka dokumentuar 10 raste kur gazetarët janë vrarë nga ushtria izraelite, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare që i përcaktojnë gazetarët si civilë gjatë konflikteve. 14 vrasjet e tjera të gazetarëve në vitin 2024 ndodhën në Haiti, Meksikë, Pakistan, Myanmar, Mozambik, Indi, Irak dhe Sudan.
Numri i madh i gazetarëve të vrarë në vitin 2024 tregon për rreziqet e shtuara me të cilat përballen gazetarët dhe punonjësit e medias, si dhe kërcënimin për rrjedhën e informacionit në mbarë botën, tha CPJ.
Totali i 124 gazetarëve të vrarë vitin e kaluar e tejkalon rekordin prej 113 nga viti 2007, kur pothuajse gjysma u vranë gjatë luftës në Irak.
Jashtë Rripit të Gazës dhe Libanit (tre), CPJ dokumentoi vdekjen e 39 gazetarëve dhe punonjësve të medias në 16 vende në vitin 2024, shumica në Sudan (6), Pakistan (6), Meksikë (5), Siri (4), Mianmar (3), Irak (3) dhe Haiti (2)./REL/