Një studim të cilit i referohet AgroWeb.org thotë se vitamina D përmirëson ndjeshmërinë ndaj insulinës, duke ulur kështu nivelet e glukozës në gjak dhe akoma më tej rrezikun e diabetit të tipit 2.
Studimi i publikuar në revistën shkencore North American Menopause Society, jep fakte që provojnë lidhjen e fortë mes vitaminës D dhe rrezikut të diabetit të tipit 2.
Ekspertët analizuan të dhënat e 680 grave nga mosha 35 deri në 74 vjeç.
24 prej tyre merrnin suplementë të vitaminës D por edhe kishin ekspozim të rregullt në diell.
Të 24 gratë kishin nivele më të ulëta të glukozës në gjak.
Çfarë shkakton mungesa e vitaminës D në organizëm?
Mungesa e zgjatur e vitaminës D shkakton çrregullime të masës minerale të kockave dhe fraktura tek fëmijët dhe të rriturit.
Mungesa e kësaj vitamine, nxit problemet me kockat, muskujt dhe shkakton dhimbje të gjymtyrëve.
Pamjaftueshmëria e vitaminës D mund të kontribuojë edhe në shfaqjen e osteoporozës.
Studime të shumta e kanë lidhur mungesën e vitaminës D me depresionin, sëmundjet e zemrës, çrregullimet imunitare, infeksionet dhe shtimin e qelizave të dëmshme.
Shkencëtarët thonë se mungesa e kësaj vitamine nuk i shkakton këto sëmundje por është një nxitës biologjik për disa procese inflamatore të lidhura me sëmundjet.
Burimet e vitaminës D
Njeriu e merr pjesën më të madhe të vitaminës D nëpërmjet rrezeve të diellit.
Kur këto rreze, sidomos ato të mesditës, bien në kontakt me lëkurën, nxisin prodhimin e vitaminës D.
Njerëzit që jetojnë në vende me klimë të ngrohtë me shumë diell, përfitojnë më shumë se sa ata që jetojnë në vende të ftohta pa diell.
Vitaminën D mund ta marrin edhe nëpërmjet disa ushqimeve.
Bëhet fjalë për ushqime të fortifikuara ose të pasurura siç janë qumështi dhe drithërat apo tek peshqit si salmoni, toni dhe skumbria.
Po ashtu vitaminë D ka edhe vaji i papërpunuar i peshkut dhe vaji i mëlçisë së Merlucit, të cilin mund ta gjeni si suplement në farmaci.
Ngrënia e këtyre ushqimeve, shkakton një sërë reagimesh kimike në mëlçi dhe veshka, të cilat e transformojnë vitaminën D në formën e përshtatshme për organizmin.
Sa vitaminë D duhet të marrë një i rritur?
Në përgjithësi, të rriturit duhet të konsumojnë 600 njësi të vitaminës D në ditë, pra rreth 15 mikrogramë.
Të moshuarit mbi moshën 70 vjeç duhet të konsumojnë 800 njësi të kësaj vitamine në ditë, pra rreth 20 mikrogramë./AgroWeb.org