Në Arabinë Saudite ka filluar sesioni i dytë i bisedimeve Rusi-SHBA, pas një pauze të shkurtër.
“Në bisedimet ruso-amerikane në Rijad është paralajmëruar një pauzë e shkurtër. Pas diskutimeve, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov do t’u drejtohet mediave“, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova në një konferencë për media në Moskë.
Ajo bëri të ditur se sesioni i parë i bisedimeve midis delegacioneve zgjati rreth dy orë e gjysmë.
Bisedimet midis Rusisë dhe SHBA-së kanë për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve, adresimin e konfliktit në Ukrainë dhe përgatitjen e një takimi midis presidentëve të dy vendeve.
Diskutimet, të mbajtura në Pallatin Diriyah dhe të organizuara nga Arabia Saudite për të mbështetur dialogun diplomatik, shënojnë takimin e parë midis diplomatëve rusë dhe amerikanë që nga fillimi i luftës në shkurt 2022.
Delegacioni rus kryesohet nga ministri i Jashtëm Sergej Lavrov dhe përfshin ndihmësit presidencialë Yury Ushakov dhe Kirill Dmitriev si dhe kreun e Fondit të Investimeve Direkte Ruse.
Nga ana amerikane, delegacionin e kryeson Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i shoqëruar nga këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari special për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Bisedimet nisën në prani të ministrit të Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan Al Saud.
Arabia Saudite u zgjodh si vendi i takimit sepse është i pranueshëm nga të dyja palët, tha më herët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se është herët për pjesëmarrjen evropiane në diskutimet për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës.