Administrata amerikane vijon ofensivën ndaj emigrantëve ilegalë, e nisur që kur Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar.
Grupi i parë i haitianëve të dëbuar mbërriti në vendin e Karaibeve ditën e martë.
Njëri prej tyre, Mario Montès ka sqaruar se si u arrestua pasi kishte qëndruar në Amerikë për thuajse një vit.
“Po shkoja në punë kur agjentët e emigracionit më ndaluan dhe më kërkuan të shkoja me ta pasi me ardhjen e presidentit të ri duheshin plotësuar disa dokumente të reja. Shkova në zyrën e tyre, por ata më vunë prangat dhe më thanë se do të më rikthenin në vendin tim”, deklaroi ai.
Ndërkohë, El Salvadori është vetofruar për të marrë të dëbuarit dhe kriminelët e dhunshëm, edhe nëse ata janë shtetas amerikanë, në burgun e madh ku ndodhen 40 mijë të dënuar e ku flitet se shkelen vazhdimisht të drejtat e njeriut.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio e cilësoi lëvizjen “marrëveshjen më të jashtëzakonshme dhe më të paprecedent në botë”.
Po të martën u realizua dhe fluturimi i parë për dëbimin e emigrantëve në gjirin e Guantanamos, në Kubë – bëri të ditur sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Në javën e parë të presidencës së dytë të Trump, autoritetet dëbuan rreth 7 mijë e 300 persona të kombësive të ndryshme.